Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së legjislaturës së shtatë, bëri të ditur se seanca konstituive për legjislaturën e tetë do të mbahet më 22 mars.

“Sapo përfunduam mbledhjen e kryesisë, ku rend dite ishte përgatitja për seancën konstituive të  legjislaturës së tetë. Në mbledhje ishin të pranishëm kryesia e legjislaturës së kaluar. U vendos që seanca konstituive e legjislaturës së tetë të mbahet më 22 mars, të hënën në orën 10:00”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se në këtë mbledhje u diskutuan edhe çështje teknike si dhe për vendosjen e deputetëve në seancë.

Ndryshe, një ditë më parë u.d e Presidentes, Vjosa Osmani dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti kanë takuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për tu konsultuar lidhur me formimin e institucioneve./Gazetari/